Fëmijët tanë po rriten në një epokë dixhitale. Telefoni, tableti, kompjuteri dhe televizori janë pjesë e çdo dite. Kanë shumë anë të mira, por kanë edhe një kosto që shpesh nuk e shohim: sytë e fëmijëve. Çdo vit, në dyqanet tona shohim gjithnjë e më shumë fëmijë miopë, dhe gjithnjë e më të vegjël.
Prandaj këtë korrik vendosëm të bëjmë diçka ndryshe. Ftuam fëmijët që vijnë te Italoptik për vizita, për syze optike dhe për syze dielli, bashkë me prindërit e tyre, për një ditë në natyrë në Malin e Dajtit, në restorantin Kazerma e Cerenit.

Larg ekraneve, në ajër të pastër dhe në dritën e diellit, fëmijët luajtën, vrapuan, qeshën dhe u njohën me njëri-tjetrin. Mikja e Italoptik, psikologia Ilta Shahinaj, kishte përgatitur shumë lojëra për ta. Lojërat i mbajtën fëmijët aktivë dhe bashkë, dhe u treguan se sa bukur është të argëtohesh pa telefon në dorë.


Pse natyra? Sepse studimet tregojnë se koha jashtë, në dritë natyrale, është një nga mbrojtjet më të mira kundër miopisë. Kur fëmija luan jashtë, sytë e tij shohin larg, pushojnë nga afërsia e ekranit dhe marrin dritën që u duhet për t’u zhvilluar shëndetshëm. Rekomandohen rreth dy orë në ditë jashtë.

Ky event ishte edhe për ne prindërit. Fëmijët mësojnë nga ajo që na shohin të bëjmë. Nëse ne dalim më shumë jashtë, nëse e lëmë telefonin mënjanë dhe luajmë me ta, edhe ata do ta bëjnë. Pak minuta më pak ekran dhe pak minuta më shumë diell bëjnë një ndryshim të madh për sytë e tyre.


Për ne në Italoptik, kujdesi për sytë nuk fillon dhe nuk mbaron te vizita. Detyra jonë është të jemi pranë komunitetit dhe familjeve që na besojnë, dhe t’i ndihmojmë fëmijët të rriten me sy të shëndetshëm.

Faleminderit çdo fëmije dhe çdo prindi që erdhi, faleminderit psikologes Ilta Shahinaj për lojërat dhe energjinë, faleminderit restorantit Kazerma e Cerenit për mikpritjen dhe Kastriotet për ushqimin e shijshëm.


Disa këshilla të thjeshta për çdo familje:
- Të paktën dy orë në ditë jashtë, në dritë natyrale.
- Pushime të shkurtra nga ekrani: çdo 20 minuta, 20 sekonda me shikim larg.
- Pa ekrane para gjumit.
- Një kontroll i syve të paktën një herë në vit, ose kur ju rekomandon mjeku.
Me dashuri,
Romina Lula dhe ekipi i Italoptik
