Për Shën Valentin, në shkurt 2026, vendosëm ta festonim ndryshe. Ftuam në dyqanin tonë Italoptik Kala, në Kalanë e Tiranës, disa çifte, klientë tanët prej vitesh, të moshave të ndryshme, dhe u kërkuam diçka të thjeshtë: të na tregonin historinë e tyre të dashurisë.

Si u njohën? Si ishte jeta e tyre bashkë? Cilat ishin vështirësitë që kaluan dhe si e mbështetën njëri-tjetrin? Ishte një ditë plot buzëqeshje, kujtime dhe pak lot emocioni.

Për ne ishte shumë e rëndësishme që të ishin çifte të moshave të ndryshme. Kështu pamë sa ka ndryshuar dashuria me kohën. Çiftet më të reja na treguan se u njohën në Facebook ose Instagram, me një mesazh ose një “like” që u bë fillimi i gjithçkaje. Çiftet më të moshuara u njohën ndryshe: dikush i prezantoi, një mik, një fqinj ose dikush nga familja. Mënyrat ndryshojnë, por ajo që i mban bashkë mbetet e njëjta: respekti, durimi dhe mbështetja e njëri-tjetrit në ditët e vështira.

Një histori na preku veçanërisht. Një nga klientët tanë më besnikë, që vjen te ne prej vitesh, ishte aty me bashkëshorten, të dy rreth të pesëdhjetave. Na treguan sa e vështirë ishte për ta në fillim. Në Shqipërinë e asaj kohe, po të mos ishe i fejuar, nuk mund ta takoje hapur personin që doje, prandaj ata takoheshin fshehurazi. Edhe familjet nuk ishin dakord që ata të ishin bashkë. Por ata nuk u dorëzuan. E mbështetën njëri-tjetrin, i kapërcyen të gjitha pengesat dhe janë ende bashkë sot. Kanë një vajzë 32 vjeç dhe tashmë janë bërë gjyshër. Ishte shumë e bukur t’i dëgjoje, me sytë që u shkëlqenin ende kur flisnin për njëri-tjetrin.

Këtë event e bëmë për t’i nderuar klientët tanë. Shumë prej tyre vijnë te Italoptik prej vitesh, disa prej dekadash, dhe na kanë qëndruar pranë me besnikëri. Pa ta nuk do të ishim ajo që jemi sot. Ishte mënyra jonë për t’u thënë faleminderit, jo vetëm si klientë, por si njerëz dhe si familje.

Ndoshta edhe ju keni një histori si këto. Na e tregoni kur të vini te ne. Do të na gëzojë ta dëgjojmë.
Faleminderit çdo çifti që ndau me ne historinë e vet. Gëzuar dashurinë!

Me dashuri,
Romina Lula dhe ekipi i Italoptik
